Karlo Ançeloti po bëhet gati që të drejtojë Real Madrid në një tjetër gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Një objektiv të cilin ai mendon se nuk është një arritje e madhe për klubin më të suksesshëm në këtë turne, por që gjithsesi nuk duhet nënvlerësuar.
Në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Mançester Sitit, trajneri italian nuk kurseu edhe thumbimet ndaj atyre që nuk besonin se skuadra e tij kishte aftësitë të shkonte larg në Europë.
“U ktheva te Reali pasi u nevojitej një trajner. Për mua ishte një kënaqësia e madhe të kthehesha. Por nuk ishte vendimi im, për këtë të jemi të qartë. Reali kishte besim te ajo që mund të bëja dhe unë po shfrytëzoj mundësinë që më jepet.
Historia që ka Reali në këtë kompeticion ka shumë rëndësi për ne, më shumë se për rivalët tanë. Kjo histori, që është shkruar në gjithë këto vite, ndihmon lojtarët që të ndjejnë peshën e kësaj fanelle. Është diçka pozitive, jo negative.
Presioni është i ngjashëm, ka shumë të tillë. Për Real Madrid nuk është një sukses që të arrijë në gjysmëfinale, duam të arrijmë në finale, ajo është një sukses. Ai është objektivi, nëse arrin aty, zakonisht Real Madrid ka më shumë mundësi që ta fitojë.
Në fillim të sezonit thuhej se ekipi nuk do të shkonte larg? Më kujtohet ajo që thuhej në atë periudhë. Shtypi dhe opinioni publik e mendonin ashtu. Tani ka dy ekipe në gjysmëfinale, të cilat askush nuk mendonte se mund të arrinin këtu, Real Madrid dhe Vijareal. Por mbërritëm këtu dhe jemi shumë të lumtur, Reali do të jetë gjithmonë konkurrues”, tha Ançeloti para gazetarëve.