Ditën e sotme janë luajtur shtatë sfidat e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë së Parë, ku nuk munguan surprizat. Kështu, Tërbuni ka arritur të marrë një barazim mjaft të rëndësishëm ndaj Orikut në transfertë.

Ndeshja u mbyll në një barazim pa gola, teksa në fushën sportive të Orikumit, Tërbuni i drejtuar nga trajneri Alert Alçani kërkoi edhe fitoren trepikëshe, por gjithsesi në përfundim, një barazim 0-0 me Orikun në transfertë nuk është keq.

Në këtë ndeshje, për pukjanët u aktivizuan edhe pesë futbollistë shkodranë, siç janë Ardit Hoxhaj, Alsid Tafili, Rigers Xhahysa, Ildi Xhakaj dhe Samet Ruqi.

Ky i fundit u ndëshkua me kartonin e kuq, të dytin të verdhë në pjesën e dytë, duke bërë që ekipi i Alçanit të luajë përreth 30-minuta me një futbollist më pak, por në fund ata ia arritën të marrin një pikë mjaft të rëndësishme për vazhdimësinë e tyre. Ndërkohë, edhe në krahun tjetër për Orikun u aktivizuan dy lojtarë shkodranë, siç ishin Eraldo Deda dhe Kabir Tahiraga.

Kështu pas kësaj ndeshje, Tërbuni renditet në vendin e pestë me 20-pikë, teksa takimin e rradhës do ta luajë ndaj Skënderbeut në transfertë. Pukjanët kanë si synim për të qenë në gjashtë vendet e para, për të luftuar për të zënë një vend në play-off. Realisht, mundësitë i kanë, por në ndeshjet e mbetura duhen të tjera fitore apo edhe barazime. /Maringlen ZHIVANI/

Oriku-Tërbuni 0-0

Gola: S’ka

Formacioni i Tërbunit (4-4-2): Vata, Ruqi, Peqini, Hoxhaj, Metani, Filipi, Tafili, Saliaj, Xhahysa, Hysa, Krasniqi (u aktivizuan: Junior, Dosseh, Xhakaj, Baholli, Xhabrahimi) Tr: Alert Alçani