Carlo Ancelotti dëshiron të lërë gjurmë edhe në stolin e Brazilit. Pasi siguroi kualifikimin në Botërorin 2026, trajneri italian mund të shkruajë histori, pasi gjigantët amerikano-jugorë nuk e kanë fituar ndonjëherë Kupën e Botës me një trajner të lindur jashtë vendit.
“Gjithmonë ka një herë të parë, – tha Ancelotti në prag të miqësores së “Seleçãos” në Tokio, kundër Japonisë, pas fitores 5-0 ndaj Koresë së Jugut në Seul. – Objektivi im është të jap maksimumin për Brazilin, ta bëj të luajë në mënyrën më të mirë dhe të fitojmë Botërorin. Është e vërtetë se asnjë trajner i huaj nuk e ka arritur këtë me Brazilin, por në jetë ka gjithmonë një herë të parë”.
Megjithatë, rruga drejt Botërorit 2026 nuk ishte e lehtë, Brazili e mbylli në vendin e pestë në eliminatoret e Amerikës së Jugut. Pas 5 golave ndaj Koresë së Jugut, tifozët kanë përshëndetur “rikthimin e lojës së bukur”, por Ancelotti mbetet kërkues: “Kemi cilësi të mëdha individuale, por loja e bukur vjen vetëm kur bashkohet puna kolektive dhe lëvizja pa top. Kjo është thelbësore”.
Në këtë tur aziatik mungon Neymar, i dëmtuar në kofshë. Ancelotti shtoi: “Nëse do të jetë në formë, sigurisht që mund të jetë pjesë e kombëtares. Në formë optimale, ai mund të luajë në çdo skuadër në botë”.