Tërbuni ka pasur një ecuri shumë pozitive në këtë fillim edicioni. Pukjanët ndodhen në vendin e tretë të renditjes në Kategorinë e Parë, me 9 pikë. Vetëm 2 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Dinamo. Një prej titullarëve të skuadrës, Anderson Filipi ka folur së fundmi për këtë ecuri duke premtuar një Tërbun të fortë deri në fund të edicionit.
Filipi tha: “Në javën e fundit kemi barazuar kundër Apolonisë. Ndoshta një rezultat pozitiv pasi erdhëm nga disavantazhi e po ashtu Apolonia është një ekip cilësor. Por në fushën tonë duhet të jemi më të “egër” në kuptimin e mirë të fjalës dhe të shfrytëzojmë në maksimum stadiumin e Pukës.
Skuadra është plot me eksperiencë e me futbollistë që kanë spikatur në vite në Kategorinë Superiore e të Parë. Po luajmë një futboll të mirë e me patjetër që objektiv kemi të jemi në zonën e play off. Pastaj siç thuhet oreksi vjen duke ngrënë, por ne duhet ti marrim ndeshjet një nga një.
Ndeshja e rradhës? Do kemi një transfertë shumë të vështirë kundër Flamurtarit në Vlorë. Një prej ekipeve më të mira të kampionatit, por ne do shkojmë të bëjmë lojën tonë, ku unë shpresoj të kemi një rezultat pozitiv. E po ashtu edhe unë të gjej rrugën e rrjetës e të zhbllokohem në këtë edicion”.
Endri ÇINARI