Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, foli në një intervistë për Euronews për çështjen e zgjedhjeve të lojtarëve shqiptar, mes Shqipërisë, Kosovës apo dhe shteteve të tjera. Sipas Lilës, futbollistët më të mirë duhet të veshin fanellën kuqezi, jo vetëm ata që janë 100% shqiptar, por çdokush që ka gjak shqiptari me një nënë ose baba shqiptar.

“I kërkoj ndjesë Kosovës, por unë jam një ish-futbollist i ekipit kombëtar dhe do të doja që gjithë futbollistët më të mirë, jo vetëm Kosovë, Shqipëri, në viset ku jetojnë shqiptarët, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, më të mirët duhet të vijnë për Shqipërinë.

Shqipëria në 8 vite, po bëhet hera e dytë që po merr pjesë në një kampionat europian, pra është shumë, jemi në rrugën më të mirë të mundshme.Edhe futbollistët në diasporë, nuk do doja kurrsesi për shembull që brezi i dytë ose i tretë që po rritet jashtë Shqipërie të zgjidhte për shembull përfaqësuesen e Anglisë.

Për shembull, ka shumë të rinj të talentuar që po rriten në Angli, duhet të vijnë të luajnë të gjithë për Shqipërinë, edhe ato që kanë nënën shqiptare dhe babain brazilian po themi ose nuk e di çfarë e kanë. Pra futbollistët më të mirë që kanë një gjak shqiptar duhet të vijnë të përfaqësojnë shqiptaren kuq e zi”, u shpreh Lila.