Pas disa ditësh reflektim, sipas “Sky Sport”, më në fund ka mbërritur “ok”-i i Saelemaekers për transferimin te Bologna.

Tani të dy shoqëritë duhet të mbyllin marrëveshjen brenda pak orësh. Një largim që i lejon Milanit të zvogëlojë organikën pas ardhjeve të shumta, jo më pak se nëntë, në këtë sesion të tregut të transferimeve.

Pasi është marrë drita jeshile e lojtarit, siç u përmend, tani i takon Milanit dhe Bolognas të gjejnë një marrëveshje.

Kuqezinjtë insistojnë në përfshirjen e detyrimit për ta blerë, ndërsa klubi emilian preferon huazimin e thjeshtë.

Mbrojtësi belg iu bashkua kuqezinjve nga Anderlechti në janar 2020 në formë huazimi me të drejtë blerjeje. Milani ushtroi verën e ardhshme klauzolën e blerjes.

Ai bëri 111 paraqitje në Serinë A, 30 prej të cilave sezonin e kaluar. Ka shënuar gjithsej 10 gola në të gjitha garat, të cilëve u duhet shtuar edhe 14 asistime.

24-vjeçari do të mund të luajë në krah te Bologna e Thiago Mottas në treshen pas sulmuesit të vetëm.

Megjithatë, në rastin e mbrojtjes me tre lojtarë, belgu mund të vendoset gjithashtu në korsi.

Anësori është gjithashtu pjesë e kombëtares me të cilën luajti disa segmente kohore marsin e kaluar në ndeshjet kualifikuese për Euro 2024, ndërsa në qershor qëndroi në stol si ndaj Austrisë ashtu edhe ndaj Estonisë.