Jemi mësuar ndoshta të përmendim emrat e Qardakut, Ndrecës, Hoxhës si autorët e zakonshëm të golave për Vllaznia U19 por ja që ka edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm tek kjo skuadër.

Njëri prej tyre është edhe Angjelo Radovani, sulmuesi 18 vjeçar i cili sot ka shënuar golin më të rëndësishëm të karrierës së tij të deritanishme.

Ka shënuar atë gol që ka kualifikuar ekipin shkodran për në finalen e kampionatit. Dhe për më tepër, ky gol ka ardhur në minutën e 89-të dhe padyshim që ia ka shtuar edhe më shumë rëndësinë.

Ai ka shfrytëzuar një top të mbetur në zonën e Flamurtarit dhe me qetësi, pasi ka parë portën kundërshtare, me një gjysëm trajektore shumë të bukur, e ka dërguar atë në këndin që nuk mund të zotërohej nga portieri vlonjat.

Angjelo Radovani është i datëlindjes 07.04.2001 dhe do të jetë pjesë e ekipit edhe sezonin e ardhshëm, atëherë kur dhe pritet të shpërthejë ashtu si duhet sepse duhet pranuar që sivjet nuk ka gjetur shumë hapësirë për shkak se kanë luajtur lojatërët e datëlindjes 2000.

Megjithatë sot është koha për të parë kryeveprën e këtij lojtari që e çoi Vllaznia U19 në finalen e kampionatit. Ja pse vlen ajo shprehja se skuadra nuk është e përbërë nga vetëm 11 lojtarë, por për të kontribuojnë të gjithë ata që janë të federuar.
© shkodrasport.com