astrioti do të luajë sot një ndeshje tejet delikate në transfertë me Vllazninë. Trajneri Emiljano Çela në një intervistë për “Panorama Sport” shpreh pakënaqësi për pauzën e gjatë, por pavarësisht kësaj, deklaron se skuadra e tij është gati për këtë transfertë.


Një pauzë e gjatë, a ju ka shërbyer?

Jam shumë i pakënaqur. Në rregull, u bë pauzë, por ta lësh ndeshjen të hënën është pauzë mbi pauzë. Është e pakuptimtë se si një ekip futbolli në pjesën më të rëndësishme të sezonit, të rrijë 16 ditë pa ndeshje zyrtare.

Ka ndikuar ky pushim në skuadër?

Pavarësisht pauzës së gjatë, situata është mirë, grupi është në formë, jemi të qetë. Kemi besim tek aftësitë tona. Shpresojmë ta interpretojmë mirë ndeshjen me Vllazninë dhe të japim maksimumin e të marrim rezultat pozitiv.


A ndiheni në presion për faktin se Egnatia fitoi ndeshjen e saj?

Nga rezultati i kundërshtarëve unë e shoh diçka pozitive faktin që vazhdojmë të jemi akoma të shkëputur nga zona e rënies me 5 pikë. Nuk na jep asnjë lloj presioni, përkundrazi, jemi më të qetë. Do të tentojmë ta thellojmë diferencën me zonën e rënies.


A është i gatshëm Greca, i cili ka shfaqur shqetësime ditët e fundit?

Greca vijon të jetë i dëmtuar dhe nuk është i gatshëm për këtë sfidë. Pjesa tjetër është e gjitha gati.


I druheni një arbitrimi jo korrekt, i cili mund të anojë nga shkodranët prej golit të anuluar në Kupë dhe polemikave të shkaktuara?

Nuk ka lidhje fare, çdo ndeshje ka histori tjetër. Edhe ndeshja jonë do të ketë një histori tjetër. Absolutisht në asnjë lloj mënyre arbitri nuk duhet të ndikohet nga ajo çfarë ka ndodhur në një ndeshje tjetër, pasi çdo arbitër mban përgjegjësi për personalitetin e vet, dhe jo për atë çfarë mund të bëjë tjetri.