Antonio Delaj është një nga futbollistët më të talentuar që ka Akademia Vllaznia dhe me një të ardhme të ndritur përpara. Prej vitesh, sulmuesi shkodran merret me futboll dhe është pjesë e një prej akademive më të mira në Shqipëri, pikërisht asaj shkodrane.

Futbollisti i Vllaznia U-19, ka kaluar të gjitha grupmoshat tek shkodranët, teksa tashmë është pjesë edhe e ekipit të parë. Ditën e sotme, 19-vjeçari do të nisë fazën përgatitore me ekipin e parë të Vllaznisë, pasi tashmë prej disa seancash stërvitore është pjesë e rregullt e kësaj skuadre dhe këtë edicion, pritet të ketë hapësira në Abissnet Superiore.

Delaj vlerësohet shumë në Shkodër, pasi shpesh herë ai e ka treguar veten se është një sulmues cilësor, i cili do të ketë një karrierë të madhe, nëse vazhdon me ritmin momental. Sulmuesi anësor do të udhëtojë me ekipin shkodran në Austri për fazën përgatitore, ku pritet të luajë në ndeshjet miqësore, që Vllaznia ka në plan.

Shtatshkurti ka qenë një nga më të mirët padyshim në Akademinë Vllaznia, me grupmoshën U-19 dhe në rast se do të ketë minuta te Vllaznia në miqësoret në Austri, atëherë nuk përjashtohet mundësia që t’i ofrohet një kontratë nga drejtuesit që në sezonin e ri, pasi bëhet fjalë për një futbollist shumë të talentuar.
Maringlen ZHIVANI