Çiklizmi shkodran në vitet e fundit ka dominuar mbi të gjithë ekipet e tjera dhe si rrjedhojë sukseset e Vllaznisë kanë qenë të shumta. Edhe në garat e fundit, ato të Kupës së Shqipërisë, kanë spikatur duke treguar vlerat e tyre.

Megjithatë për trajnerin Leonat Kola, ky sport kërkon më shumë vëmendje e mbështetje sepse po largohen shumë sportistë cilësorë. Mjafton të përmendim për këtë faktin që në dy vitet e fundit, kanë lënë sportin, plot 8 çiklistë të talentuar.

“Kam tetë vite që e drejtoj këtë ekip dhe kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. E kemi marrë gjithçka nga zeroja, kur si të them, nuk kemi pasë asnjë tel biçiklete në dispozicion dhe kemi arritur këtu ku jemi sot, ndër ekipet më të mira të Shqipërisë, teksa në këto vite kemi fituar 70-80 kupa.

Por gjatë këtyre viteve kemi patur edhe shumë firo rrugës, na janë larguar shumë kampionë. Vetëm në dy vitet e fundit e kanë lënë sportin 8 kampionë dhe kjo për shkak të kushteve financiare.

E merr një sportist që fëmijë, e rrit, e mëson të bëjë sport dhe atëherë kur pret t’i marrësh frutet, ai e lë fare sportin sepse i duhet të ndihmojë familjen. Pastaj është shumë e vështirë t’ia nisësh nga fillimi.

Nuk është e lehtë t’i mësosh një fëmije çiklizmin sepse mbi të gjitha të prishë shumë bazë materiale, që është një gangrenë e madhe për çiklizmin shqiptar.

Megjithatë ne kemi patur edhe mbështetje. Në rradhë të parë dua të falenderoj kryetaren e Bashkisë Shkodër, zj. Voltana Ademi e cila i ka dhënë një ndihmë të madhe çiklizmit dhe nëse nuk do të ishte ndihma e saj, nuk do të kishim marrë pjesë në disa aktivitete dhe rasti më i fundit ishte në Rrethin Çiklistik të para pak ditëve.

Nëse nuk do të ishte ndërhyrja e saj, ne nuk do të kishim marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm. Prandaj dua ta falenderoj nga zemra për ndihmën që ka dhënë për sportin e çiklizmit. Pa lënë mënjanë edhe ndihmën e jashtëzakonshme të presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit Skënder Anxhaku. Por këto nuk mjaftojnë. Duhet më shumë mbështetje për të mos i lënë këto sportistë të na largohen”- ka thënë trajneri Kola./SHKODRA-SPORT.COM/