Të enjte, Partizani dhe Vllaznia barazuan 0-0 për Kupën e Shqipërisë. Sfida u mbyll me tensione dhe diskutime, ndërsa për shkodranët u anullua një gol në minutën e 90.

Aralica kërceu mbi të gjithë në zonë, teksa e dërgoi sferën në rrjetë. Kryesori Ferataj drejtoi gishtin nga mesi i fushës, duke e akorduar golin. Pas disa sekondave, VAR thërret në apel gjyqtarin nga Patosi, që anullon vendimin dhe golin, për faull të sulmuesit shkodran.

Kaq ka mjaftuar që për këtë rast të ketë polemika, me Vllazninë që ka dërguar një relacion në FSHF, ku kërkojnë “non-gratan” e tij dhe të Andi Koçit që ishte në VAR.

Një ditë pas ndeshjes, Sektori i Arbitrimit në FSHF ka thirrur në një analizë arbitrat, për të diskutuar rastin dhe për të treguar konkluzionet se përse u arrit në këtë vendim.

Nuk dihet ende nëse do ketë një pezullim të gjyqtarëve, teksa në FSHF janë duke marrë masa për rastet e diskutuara./newsport/