Apollon Haxhi, ish-juristi i Vllaznisë disa vite më parë dhe një njohës i mirë i futbollit ka komentuar së fundmi fitoren dhe ecurinë e kuqebluve. Sipas tij skuadra është në rrugën e duhur dhe garanton për të ardhmen. Po ashtu Haxhi thekson se pavarësisht mungesave, skuadra është paraqitur shumë mirë. Dhe të rikthyerit nga dëmtimet do e kenë të vështirë të zënë sërish vendin në formacion.

Haxhi tha: “Fitorja kundër Tiranës është gjithmonë e veçantë. Kjo është ndeshja ku çdo shkodran e çdo futbollist kërkon ta fitojë. E në duelet ndaj kryeqytetasve, Vllaznia është superiore këtë sezon. Pavarësisht se ndeshja ndoshta nuk ishte e nivelit më të lartë. Kjo pasi në syrin tim, Tirana kishte ardhur për të marrë 1 pikë.

Dhe luajti shumë kujdesshëm, por Vllaznia tregoi cilësi dhe grintë më tepër së kundërshtari. Skuadrën e shoh në rrugën e mbarë e kjo javë kundër Egnatias në transfertë mund të na tregojë shumë për këtë skuadër dhe pretendimet e saj. Deri më tani kampionati është përballuar mirë pavarësisht mungesave nga dëmtimet.

E shoh të vështirë për lojtarët që kthehen nga dëmtimet për tu rikthyer sërish në formacion. Qoftë këtu edhe Latifi, kjo pasi ata që kanë performuar deri më tani kanë treguar një nivel të mirë dhe do jetë shumë e vështirë që t’iu zihet vendi.

Merr shembull Gurishtën, që në rolin e qendërmbrojtësit po shkëlqen e qoftë Bulatoviç apo edhe Juriç do e kenë të vështirë të marrin vendin e titullarit sërish”.
Endri ÇINARI