Po i drejtohej qetësisht tre pikëve të arta që do t’i mundësonin edhe të merrte e vetme kreun e klasifikimit, por nuk ishte e thënë që kjo të ndodhte për Laçin. Kurbinasit lejnë dy pikë të rëndësishme në shtëpi pasi nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Apolonisë.
Takimi nisi me vrull dhe Laçi menjëherë tregoi ambiciet për të arritur te fitorja, megjithatë miqtë disi rezistuan dhe ia dolën ta mbyllnin pjesën e parë me rrjeta të paprekura. Sakaq, në fraksionin e dytë, vendasit zhbllokojnë menjëherë avantazhin dhe falë asistit të Mazrekaj, Shehu mposhti Harizajn.
Në vazhdim, kurbinasit tentuan edhe dyfishimin për të siguruar fitoren, por nuk ia dolën. Në këtë formë, të besuarit e trajnerit Fabricio Kamarata nuk u dorëzuan dhe ia dolën të barazonin me anë të Diop vetëm në minutën e 89-te.
Senegalezi në fakt u ndihmua edhe nga një dalje tërësisht e pastudiuar e portierit Alen Sherri, i cili ndëshkon rëndë të tijtë. Në minutat e mbetura nuk kishte kohë për reagim dhe takimi u mbyll në barazim1-1. Laçi shkon në 41 pikë dhe bashkohet me Teutën dhe Vllazninë në të njëjtën kuotë, ndërsa nga ana tjetër, Apolonia është 16 pikë, po aq sa Skënderbeu i vendit të parafundit. /VipSport/
Laçi-Apolonia 1-1
Shënues: 47′ Shehu/ 89’Diop