Marrëdhënia mes Arabisë Saudite dhe FIFA-s po bëhet gjithnjë e më e ngushtë. Sipas The Guardian, institucioni më i lartë i futbollit botëror ka njoftuar krijimin e një partneriteti të ri me një agjenci qeveritare saudite, me një angazhim financiar deri në 1 miliard dollarë (rreth 762 milionë paundë) për zhvillimin e infrastrukturës futbollistike në mbarë botën.
FIFA ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Fondin Saudit për Zhvillim, i cili do të ofrojë kredi të favorshme për ndërtimin dhe rinovimin e stadiumeve dhe projekteve të tjera të lidhura me sportin. Prioriteti i këtyre kredive do t’u jepet vendeve në zhvillim.
Sipas FIFA-s, partneriteti synon të ndihmojë qeveritë në planifikimin, financimin dhe ndërtimin e impianteve moderne multisportive. Presidenti Gianni Infantino theksoi se shumë federata anëtare kanë ende mungesa të rëndësishme infrastrukturore:
“Shumë federata kanë nevojë për mbështetje shtesë për të pasur stadiume të gatshme për organizimin e turneve ndërkombëtare. Ky marrëveshje është një hap vendimtar për ta bërë futbollin me të vërtetë global.”
Ky është vetëm kapitulli më i fundit në marrëdhënien në rritje mes FIFA-s dhe Arabisë Saudite. Shteti i Gjirit do të jetë pritës i Kupës së Botës 2034, ndërsa gjiganti shtetëror i energjisë Aramco u bë vitin e kaluar një prej partnerëve më të rëndësishëm globalë të FIFA-s përmes një marrëveshjeje katërvjeçare.
Ndërkohë, Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite ka qenë partner zyrtar i Kupës së Botës për Klube gjatë verës, ndërsa kompania e tij Surj Sport Investment ka blerë një aksion prej 1 miliard dollarësh në platformën e transmetimeve DAZN, pas pagesës së një shume të ngjashme për të siguruar të drejtat ekskluzive globale të Kupës së Botës për Klube.
Lidhjet politike po thellohen gjithashtu. Javën e kaluar, gjatë vizitës së një delegacioni saudit në Uashington për t’u takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, edhe Gianni Infantino ishte pjesë e grupit që shoqëroi princin e kurorës Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë.















