Pasioni i tij i madh është futbolli, sport të cilin ai e ka ushtruar fillimisht si lojtar për shumë vite, më pas për pak kohë si trajner moshash dhe prej disa sezonesh tashmë në rolin e drejtorit teknik të Akademisë Vllaznia. E kemi fjalën për Alban Nezirin.
Por ky i fundit duket se kohët e fundit është “mërzitur” shumë me këtë sport dhe ka zgjedhur një tjetër për ta ushtruar. Bëhet fjalë për tenisin.
Albani tashmë duket se është dashuruar me këtë sport dhe për rrjedhojë sa herë që ka kohë të lirë, do ta gjesh tek kompleksi sportiv “Zmijani”, aty ku ka disa fusha tenisi dhe fillon dhe e ushtron atë.
Por nëse në fillim ishte thjesht një pasion, tashmë duket se ka filluar të shndërrohet në një ushtrues të rregullt të tenisit. Merr pjesë edhe në kampionatet e ndryshme lokale që zhvillohen dhe nga dita në ditë vërehet progresi në nivel.
Kështu po ndodh edhe ditët e fundit, teksa është duke u zhvilluar një tjetër kampionat në kompleksin “Zmijani” dhe Alban Neziri jo vetëm është një nga pjesmarrësit, por ka edhe pretendime.
www.shkodrasport.com