Prej disa ditësh tashmë është bërë zyrtare kërkesa e tij për të marrë në administrim Klubin e Futbollit Vllaznia. Bëhet fjalë për biznesmenin shkodran Alban Xhaferi, i cili aktualisht është edhe president i basketbollit të Vllaznisë.

Si rrjedhojë, në mbarë opinionin sportiv shkodran kjo kërkesë është pritur mirë ngaqë shpresohet që pas shumë vitesh, për klubin kuqeblu të vijnë ditë të mira.

Po ashtu Xhaferi ka qenë protagonist edhe në media gjatë këtyre ditëve teksa është intervistuar nga shumë televiziove, ka folur për gazeta e portale. Megjithatë, deri më tani nga Bashkia Shkodër nuk ka ende asnjë reagim në lidhje me kërkesën e këtij biznesmeni.

Pyetja që lind është se deri kur do të presë Xhaferi? Kjo pyetje i është bërë gjatë një interviste të dhënë për RTSH Sport nga gazetari Gaspër Marku dhe përgjigja e tij ka qenë kjo:

“Nuk mund të presim pa fund. Kuptohet që çdo plan-biznesi e ka një afat të realizimit të tij dhe kuptohet që edhe kërkesa jonë për të marrë në administrim Vllazninë, e ka një afat për të marrë përgjigje nga Bashkia Shkodër.

Duhet të jemi të gatshëm për formatimin e ekipit në mënyrë që të ndërtojmë atë ekip që dëshirojmë dhe me të cilin menjëherë gjatë sezonit të ardhshëm të ecim drejt vendeve të para të renditjes”.
www.shkodrasport.com