Sezonin e fundit, një nga problemet që hasi Vllaznia ishte gjetja e një sulmuesi që t’i garantonte rregullisht golat. Vjet, golashënuesi më i mirë i ekipit doli Liridon Latifi me vetëm 11 gola të realizuar.
Për këtë arsye, në klub po kërkojnë me ngulm një futbollist me potencial në këtë repart dhe sipas burimeve të “Shkodra Sport”, ai do të vijë nga tregu ballkanas së shpejti.
Burimet janë të rezervuara për të treguar emrin, por mësohet se praktikisht është arritur marrëveshja për një futbollist sulmues dhe zyrtarizimi i tij është çështje ditësh.
Megjithatë, në tavolinë janë edhe shumë pista të tjera, si nga kampionati ynë, por edhe ai i huaj, por për aq kohë sa Vllaznia do ta luajë ndeshjen e parë të Conference League me 21 korrik, edhe afrimet po merren me shumë qetësi.
Maringlen ZHIVANI