Arben Parmeza, përgatitës atletik i akademisë Vllaznia ka komentuar së fundmi për situatën e shkodranëve. Sipas ish-atletit, por edhe trajneri të futbollit tashmë, skuadra ka treguar një ritëm të kënaqshëm. Por kanë qenë disa faktorë që kanë ndikuar në rezultatet e luhatura të skuadrës. Të cilat sipas Parmezes kanë qenë thelbësore në këtë periudhë.
Parmeza tha: “Ekipi e nisi shumë mirë këtë vit, duke marrë 3 fitore në 3 ndeshjet e para. Duke bindur në rezultat e lojë dhe kjo entuziasmoi të gjithë. Në këto ndeshjet e fundit, rezultatet nuk kanë qenë aty ku duhet dhe pretendohet. Por unë nuk mund të them se skuadra nuk ka ritëm, pasi sipas meje edhe kundër Erzenit ku u mposhtën treguan gjëra pozitive.
Unë mund të them se tek luhatja e skuadrës kanë ndikuar mungesat. Vllaznisë i mungojnë 4 futbollistë të projektuar titullarë në fillimin e sezonit, e kjo nuk është pak. Po ashtu lojtarët që vijnë nga stoli, nuk të japin garancinë që bëjnë diferencën. E gjithashtu në shumë ndeshje, disa futbollistë kanë luajtur jashtë rolit të tyre. Duke mos dhënë 100% të potencialit që zotërojnë.
Po ashtu kam parë shumë gabime individuale, që hynë tek ato teknike. Që për futbollistë profesionistë nuk mund të ndodhin në ato mënyra. Jam dakord që gabime ka kudo, por jo ashtu siç i kanë interpretuar futbollistët e Vllaznisë.
Fizikisht mund të them se janë mirë, megjithatë statistikat që tregohen për futbollistët dhe vrapimet e tyre gjatë ndeshjeve nuk më duken aq reale. Duke bërë një paralelizëm me Serie A, atje vrapojnë mesatarisht 12 km në një ndeshje futbollistët. Në Superiore na dalin që vrapojnë më tepër, e këtu kam dyshimet e mia se mund të jetë një interpretim i gabuar i statistikave dhe një gabim ndoshta teknik.
Endri ÇINARI