Ish-mbrojtësi i njohur i disa skuadrave në vendin tonë e sot një nga trajnerët e prespektivës, Arbër Shytani ka komentuar për fitoren e fundit të Vllaznisë. Sipas tij ekipi reagoi shkëlqyeshëm me trajnerin e ri, Sedloski.
Shytani thekson se pavarësisht se ekipi ishte shumë i qartë në fushën e lojës dhe kjo u pa në fitoren kundër Erzenit në shifrat 3-1, timonieri i ri kuqeblu ka ndikuar shumë në aspektin psikologjik të futbollistëve.
Shytani tha: “Realisht ndeshja kundër Erzenit, që përveç fitores që është shumë e rëndësishme në këto momente, bindi në aspekin e lojës. Futbollistët e zbritur në fushë ishin shumë të qartë për detyrat që duhet të kryenin. U duk një kimi perfekte me idetë që duket se ka Sedloski dhe stili që ai paraqet.
Por besoj shumë se më tepër Sedloski ka ndikuar tek aspekti psikologjik i futbollistëve. Mua të gjithë mu dukën të bindur për cilësitë që zotërojnë dhe që ne i njohim mjaft mirë. Këtu i jap merita të mëdha trajnerit nga Maqedonia e Veriut sepse ka përçuar një frymë shumë pozitive. Normalisht ai është një trajner që vjen nga një shkollë serioze futbolli dhe me një eksperiencë për t’u vlerësuar.
Besoj se ky stil sulmues që paraqiti në ndeshjen e parë do jetë në vijueshmëri. Patjetër ky është një stil që i shkon për shtat edhe përbërjes së futbollistëve që ka Vllaznia. Uroj që ekipi ta vijojë këtë paraqitje dhe ta mbyllë sezonin suksesshëm në këtë fund që po vjen”.
Endri ÇINARI