Ditë zie për futbollin shqiptar. Ditën e sotme është ndarë nga jeta, ish-trajneri i Korabit dhe Shkëndijës së Tetovës, Bexhet Shehu. Lajmi është bërë me dije nga gazetari sportiv, Dëfrim Methasani përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa i shpreh ngushëllimet familjes Shehu.

Bexhet Shehu la gjurmë në qytetin e Peshkopisë dhe mbarë Dibrën pasi drejtoi skuadrën e futbollit, Korabin për më shumë se 20 vite. Gjithashtu, ai ka dhënë edhe një kontribut të madh te Shkëndija e Tetovës pasi e ngjiti skuadrën kuqezi nga Kategoria inferiore në elitën e futbollit maqedonas pas viteve 90-të.

Postimi i gazetarit, Dëfrim Methasani:

Mëngjesi i një fundjave ndodh që nuk është i bukur. Një mesazh nga Ida, më trishtoi me lajmin e largimit nga jeta të babait të saj të shtrenjtë, ish mësuesit tim të mirë, trajnerit profesionist dhe qytetarit model Bexhet Shehu.

Ikja e tij nuk është thjesht humbje e një njeriu, por e një vlere që la kaq shumë gjurmë në qytetin e Peshkopisë dhe mbarë Dibrën. Mbi 20 vite ai bëri me sukses trajnerin me Korabin në futboll, pa harruar që ngjiti nga kategoria inferiore në elitë Shkëndinë e Tetovës pas viteve 90-të.

Pushofsh në paqe i dashur profesor. Emri yt është stampuar me gërma të arta në historinë e sportit dibran dhe shqiptar…!