Kire Ristevski, ish-kapiten në ekipin U21 të Maqedonisë së Veriut si dhe prej afro një dekade pjesë e pandashme e Kombëtares A, ka përjetuar një nga mbrëmjet më të lumtura në karrierë, ku ishte edhe vetë i pranishëm në fushë, në eliminimin e Italisë nga ndeshjet “play-off”, në Palermo. Shtatlarti nga Manastiri kaloi jo pak vite në Shqipëri, ku për katër sezone e gjysmë u aktivizua duke lënë gjurmë me Bylisin ku mbajti edhe shiritin e kapitenit.

Ai erdhi për llogari të Elbasanit në sezonin 2010-2011 dhe më pas shkoi në Ballsh, ku luajti dhe spikati në sezonet 2011-2013, për dy vite e gjysmë ku më pas u shit te Sllavja e Sofjes në Bullgari. Më pas rikthehet në Superiore me një sezon për t’u harruar te Tirana. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 31-vjeçari që ka luajtur në linjën e majtë si mesfushor e mbrojtës apo dhe në qendër të prapavijës, tregon se si u përgatit sfida me Italinë, por edhe emocionet në fushë dhe pas ndeshjes në Siçili apo atmosfera në Maqedoni…


Kire, çfarë ndodhi të enjten në mbrëmje në një fitore dhe eliminim që iu bëtë kampionëve të Europës?

Ka qenë një mbrëmje e madhe, e paharrueshme. Unë kam një karrierë prej afro dy dekadash që kur kam nisur të luaj, ka qenë me të vërtetë një ëndërr shumë e bukur dhe që asnjë prej nesh aktorëve nuk do e harrojë atë ndeshje të madhe që ne bëmë. Ishte një ndeshje historike për të gjithë ne dhe Maqedoninë.

Si ju motivoi trajneri para asaj sfide, që për Italinë ishte si “jetë a vdekje”?

Ka qenë një motivim në shkallën maksimale, në fund të fundit edhe sot që ne flasim ata prapë janë kampionët në fuqi të Europës. Motivimi për një ndeshje të atillë është në nivel shumë të lartë. Atmosfera ishte me të vërtetë e mahnitshme, por ambienti na dha një kënaqësi akoma më të madhe që ne të bënim më të mirën në atë sfidë.


Si u prit ky sukses në Maqedoninë e Veriut?

Po, është një fitore historike për ne, kjo ndodh shumë rrallë, e dimë që kemi bërë të lumtur kombin, fëmijët, familjet tona, ia dolëm dhe me meritë tashmë shkojmë optimistë për më tej drejt ëndrrës sonë që është Botërori.

A ju uruan nga Shqipëria?

Po, kam shumë miq dhe kam marrë urime pa fund edhe nga ata, madje në Ballsh, në qytetin ku kam qenë kapiten, kishte edhe tifozë që më uronin në rrjetet sociale. U jam shumë mirënjohës të gjithëve për respektin që tregojnë ndaj meje… Më kanë emocionuar, sidomos një tekst, ku edhe pse unë kam afro 10 vite i larguar më shkruanin, në anglisht “Kire, krenohemi me ty”!