Polemikat e ndeshjes Laçi-Vllaznia për vendimet arbitrare kanë zënë një hapësirë të madhe në deklaratat pas takimit. Pikërisht për këtë temë ka folur edhe arbitri shkodran, Jetmir Podgorica i cili sqaron rregulloren duke i dhënë të drejtë Hamitit në vendimet e tij në ndeshjen e javës së 19-të.
Podgorica tha: “Shumë diskutime kanë qarkulluar për arbitrimin e ndeshjes Laçi-Vllaznia. Sidomos ka pretendime nga ana e kuqebluve për padrejtësi, por që janë pa vend.
Kjo sepse vendimet e arbitrit Hamiti ishin krejt të sakta. Kjo në rastin e penalltisë së dhënë në favor të Laçit, që askush nuk pati ndonjë kundërshtim apo edhe anulimi i golit të Djurdjevic.
Arbitri e ka akorduar gol fillimisht, por pastaj me konsulecën e VAR ka kthyer vendimin e tij. Që gjithashtu është i drejtë, kjo në bazë të rregullores pasi shihet qartë që Da Silva e merr topin me dorë. Mund të them se Hamiti është një ndër arbitrat më të mirë dhe korrektë të Superligës.
Madje do tregoj edhe një episod të veçantë me të. Para 2-3 vitesh në një miqësore Besëlidhja-Vllaznia, ai akordoi një penallti në favor të Vllaznisë brenda në Lezhë. Diçka që solli irritimin e drejtuesve të Besëlidhjes saqë zbritën në fushë madje edhe për të ndërprerë ndeshjen.
Këtu dua të theksoj profesionalizmin e tij dhe Vllaznia nuk duhet të kapet vetëm me arbitrat, por të shikojë problemet e veta dhe të mundohet ti korrigjojë ato”.
Endri ÇINARI