Vllaznia është kthyer te fitoret e “frymës së fundit”, pasi i tillë ishte suksesi që shkodranët arritën dje ndaj Kastriotit. Vendimtar ishte goli i Ardit Hoxhajt, që në minutën e 93-të shënoi dhe kthehu Vllazninë në vend të parë. Ishte goli i nëntë për vlonjatin me fanellën kuqeblu, ku vendoi një rekord në karrierën e tij, pasi kurrë më parë nuk kishte ndodhur që ai të shënonte brenda një kampionati më shumë se tetë herë.
Në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport” Hoxhaj pohoi se falë golit të tij ekipi mori një fitore të rëndësishme që shpresohet të jetë si pikë kthese për ecurinë e skuadrës. 26-vjeçari pohoi se nuk premton gola, por së bashku me shokët do të japin maksimumin që Vllania të realizojë synimet dhe për të harruar luhatjet e javëve të fundit, ku ekipit i kishte humbur besimi.
Një fitore në frymën e fundit. A po kthehet Vllaznia që ishte para 10 javëve?
Ishte një fitore e rëndësishme për moralin e ekipit. Mendoj se gjatë kësaj kohe s’kemi pasur shumë fat, ndoshta na kishte ikur edhe besimi në vetvete. Këtë ndeshje kishim besim edhe fatin me vete, shpresoj që në vijim të kemi vazhdimësi në rezultatet tona.
Sa i rëndësishëm ishte ky trepikësh, duke ditur mo mentin që po kalonte Vllaznia?
Ky trepikësh pa dyshim që është shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë e kampionatit. Na jep kohë të përgatitemi të qetë gjatë kësaj kohe dhe t’i marrim ndeshjet e tjera me më shumë qetësi.
Keni shënuar 9 gola deri tani duke vendosur edhe një rekord personal. A do të vijoni sërish me gola të tillë me vlera trepikëshe?
E rëndësishme është që sa herë unë shënoj, golat e mi kanë vlerë për skuadrën, por edhe për xhepat e të gjithë neve, pasi kemi patur një premio të mirë për suksesin ndaj Kastriotit. Nuk premtoj gola, por do të bëj maksimumin për ekipin. Nuk ka rëndësi kush shënon.
Për kë shkon ky gol i 9-të dhe sa ju gëzon fakti që në minutat shtesë i keni dhënë 6 pikë skuadrës shkodrane?
Ndihem mjaft i lumtur për golat e shënuar, sidomos golat në minutat shtesë kanë një superadrenalinë, kur janë dhe gola trepikësh.
A mund të quhet fitore e kthesës në rezultate edhe për skuadrën, kur dihet situata që kaluat?
Mendoj se ndeshjet e fundit kemi bërë paraqitje të mira, por na ka munguar rezultati. Shpresoj që kjo të jetë ndeshja e kthesës në rezultate pozitive për ne në vazhdimësi.
Pas atyre rezultateve negative, mund të thuhet se Vllaznia ka ende punë për t’u kthyer te pretendimet për vendin e parë?
Ne në fillim të sezonit nuk kemi patur ndonjë objektiv të përcaktuar në kontrata. Ne do të bëjmë maksimumin për ekipin, duke menduar gjithmonë për ndeshjen e radhës. Duhet të përqendrohemi aty vetëm te takimi i radhës.
Mendoni se Vllaznia e kaloi tashmë krizën, në të cilën u zhyt pas humbjes me Bylisin?
Mendoj se çdo gjë është në rregull në klubin tonë, pavarësisht rezultateve. Këtu çdo gjë kundrohet me qetësi.
Pas ndërprerjes së kampionatit, Vllaznia do të presë Partizanin. A pritet që sërish të vijoni me një tjetër fitore?
Nuk premtojmë fitore, pasi në lojë janë tria rezultatet. Por, ne do të bëjmë maksimumin në fushë dhe do të japim shpirtin për fanellën e Vllaznisë kundrejt çdo ekipi, kjo as që diskutohet. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ndaj Partizanit.