Klubi i Bylisit gjen trajnerin e ri. Pasi është mbyllur me marrëveshje kontrata me Arjan Bellajn, i cili i drejtoi ballshiotët në fillimin e këtij edicioni, klubi ka siguruar një kthim të bujshëm në pankinën e skuadrës.

Behet e ditur se se emri që do të marrë drejtimin e Bylisit në vijimin e sezonit është 64-vjçari Naxhi Shensoj. Palët kanë gjetur shpejt akordin dhe Shensoj kthehet për herë të tretë në stolin e skuadrës ballshiote të cilën e ka drejtuar edhe në sezonet 2011-2012 dhe 2012-2013.

Shensoj ka qenë trajneri i cili ktheu asokohe adoleshentin Peter Olajinka në titullar te skuadra ballshiote, teksa në eksperiencën e tij të dytë, ia doli që të çonte Bylisin deri në finalen e Kupës së Shqipërisë ku u mund me rezultatin 1-0 nga Laçi.

Shensoj ka drejtuar edhe Kukësin në Superiore, teksa ka eksperienca në drejtimin e klubeve në Serbi, Bullgari, Turqi e Maqedoninë e Veriut. Ai pritet të udhëtojë drejt Shqipërisë dhe të prezantohet nesër në klubin ballshiot si trajneri që do të tentojë të mbajë këtë skuadër në elitën e futbollit shqiptar, pasi Bylisi është i përfshirë aktualisht në luftën për mbijetesë.