Ardit Hoxhaj ka shënuar të vetmin gol të ndeshjes, duke i dhënë tri pikë me vlerë Vllaznisë kryesuese. Bashkë me kapitenin Gurishta, sulmuesi ka qenë ndër më të spikaturit në fushë, problem i vazhdueshëm për mbrojtjen fierake.
Vlonjati luan sezonin e parë me kuqeblutë dhe, ndonëse nuk ka pasur shumë hapësira, ka rezultuar vendimtar në transfertën e Fierit, duke i bërë nisjen e duhur fazës së dytë. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, sulmuesi i Vllaznisë shpreh kënaqësinë për golin e shënuar dhe për fitoren e skuadrës së tij.
“Ndihem i lumtur për golin dhe për fitoren e arritur ditën e sotme (dje). Golin ua dedikoj të gjithë atyre që besuan tek unë dhe shokëve të skuadrës. Ka qenë një ndeshje jo e lehtë për ne, por e kemi dominuar kundërshtarin dhe nuk e vumë asnjëherë në diskutim fitoren. Janë 3 pikë të merituara dhe me shumë vlerë”, u shpreh fillimisht sulmuesi.
FORMA – Fillimi i aventurës te Vllaznina nuk ka qenë i mbarë për vlonjatin, pasi pësoi një dëmtim gjatë fazës përgatitore, por tani është në formën e duhur, gjë të cilën e tregoi edhe në Fier. “Aktualisht jam në formën e duhur, pasi dihet se gjatë fazës përgatitore pësova një dëmtim dhe jam kthyer me grupin kur nisi sezoni. Trajneri Brdariç më ka ndihmuar shumë dhe më tha se tani është rasti im dhe them se e shfrytëzova.
Trajneri ka bërë rrotacione nga ndeshja në ndeshje, kështu që te Vllaznia nuk ka arsye për hatërmbetje. Jam mësuar të luaj në krahë dhe të futen në 1 kundër 1, ndërsa te Vllaznia duhet të luaj me shpinë, mundohemi të sulmojmë portën. Duhet të vendosem shumë mirë në zonë”, vijoi Ardit Hoxhaj.
TITULLI – I pyetur nga gazeta nëse e sheh Vllazninë si pretendente kryesore për titull kryesore për titull, Hoxhaj e pohon pa doza euforie. “Kampionati është i gjatë dhe gara do të jetë e fortë gjer në fund. Të jesh në krye të renditjes është një njësi e veçantë, që nuk e përjetoja që nga koha kur isha te Skënderbeu. Në Shkodër e përjetojnë shumë futbollin dhe kjo na jep më shumë motivim.
Ne kemi një skuadër kompakte dhe kemi bërë mirë gjer tani. Fakti që jemi prej javësh në krye, tregon forcën dhe cilësinë e grupit tonë dhe normal që e ëndërrojmë titullin kampion, por është ende herët. Duhet t’i marrim ndeshjet me qetësi, një nga një, pa eufori, por duke vlerësuar maksimalisht çdo kundërshtar. Vllaznia është një ekip i madh, djepi i futbollit dhe trofetë janë pjesë e historisë së këtij klubi”, u shpreh Ardit Hoxhaj, autori i golit të Vllaznisë në Fier.