Ardit Hoxhaj ka filluar të lërë shenjë në radhët e Vllaznisë me paraqitjet e tij në këtë sezon. Sulmuesi anësor po luan rregullisht e po gjen rrugën e rrjetës, siç shpreson që ta bëjë që në ndeshjen e radhës, që e vë përballë ish-ekipit të tij Skënderbeut. Një sfidë e vështirë, siç e shpjegoi vetë ai në konferencë për shtyp para sfidës.

“Deri tani çdo gjë po shkon si duhet; në ekip jam ambientuar, po ecim në rrugën e duhur dhe shpresojmë ta mbarojmë në rrugën e duhur.

Fitorja ndaj Apolonisë është një ndeshje që na jep moral dhe pikë për të qëndruar aty lart. Tre pikët janë njëlloj si me Tiranën, si me Apoloninë, si me Skënderbeun që kemi nesër. Shpresojmë të fitojmë edhe nesër

Ne do të futemi si çdo ndeshje për të fituar, nuk mund të them që është kundërshtar i lehtë se kam parë ndeshjen me Tiranën që doli barazim, Skënderbeu ka pasur shumë raste për shënim. Në këtë kampionat nuk futesh e thuash me 100% që do ta fitosh ndeshjen, por ne do të futemi me besimin për të fituar ndeshjen.

Pozicioni i kundërshtarit në renditje? Nuk besoj se ndikon se edhe ata në vendin e fundit kanë ego për të luajtur. Edhe për lojtarët, egoja është për të luajtur në formacion dhe pastaj zgjedh trajneri.

Nuk mund të pretoj gola, por unë do të isha i kënaqur me 8-10 gola, pse jo edhe më shumë.

Kam qenë te Skënderbeu kur kanë qenë në momentin më të mirë të tyre. Nuk kam pasur shumë minuta atje, por është bukur të luash ndaj ish-skuadrës. Pjesa më e fortë e Skënderbeut janë në mesin e fushës, mendoj se aty do të zhvillohet loja, kush merr mesin e fushës”, tha Hoxhaj. /vipsport/