Vllaznia arriti të fitonte në javën e 9-të të Superligës në shifrat 3-1 kundër Kastriotit. Shkodranët u rikthyen tek 3 pikët pas disa rezultateve jo shumë pozitive në javët e fundit. Tashmë kuqeblutë kanë edhe qetësinë e duhur për të ecur në rrugën e fitoreve në kampionat dhe për të pretenduar gjëra të mëdha.
Por një emër që shkëlqeu mbrëmë ishte Ardit Hoxhaj. Sulmuesi vlonjat realizoi një dopietë kundër krutanëve. Këto ishin edhe golat e parë në kampionat këtë sezon për 27-vjeçarin i cili ka vuajtur dëmtimet në start të sezonit. Por golat në kupë kundër Pogradecit u pasuan nga ato në kampionat mbrëmë.
Hoxhaj duket se po i kthehet formës së sezonit të kaluar ku ai ishte njeriu kryesor i sulmit kuqeblu. Ai realizoi 12 gola sezonin e shkuar duke qenë një ndër më të mirët në kampionat. Tashmë reparti i sulmit me rikthimin në formë të ish-lojtarit të Flamurtarit duket se merr formën e duhur.
Edhe trajneri Brdariç dhe stafi i tij duken të kënaqur nga forma e Hoxhajt. Formë e cila garanton për të ardhmen, ku ndeshjet do jenë të ngjeshura dhe gjithë futbollistët duhet të jenë në formë për të dhënë kontributin e tyre.
Endri ÇINARI