Vlonjati Ardit Hoxhaj pasi ka shkëlqyer për dy sezone tek Bylis në kampionatet 2014-2016, shkon tek Skënderbeun në kulmin e kësaj skuadre. Ishte kampionati 2016-2017, kur Skënderbeu dominonte jo vetëm në futbollin shqiptar, por përfaqësohej denjësisht edhe në kupat e Europës.
Në kushte të tilla “labi” i linjës së djathtë të sulmit do ta kishte tejet të vështirë jo vetëm një vend nga minuta e parë, por akoma më tej për të pasur minuta të shumta në këmbë. Sezon të cilin e ka mbyllur vetëm me 22 minuta të luajtura mes dy takimesh.
Pas huazimit tek Korabi dhe aventurës në vendlindje rikthehet edhe një herë tek korccarët. Në sezonin 2018-2019 duke luajtur 284 minuta të ndara mes 8 ndeshjesh dhe vetëm dy herë si titullar. Ky është momenti i fundit i Hoxhës me korçarët për t’u rikthyer në shtëpinë e tij për një sezon tjetër prej nga peshkohet nga shkodranët, për ta bërë pjesë të skuadrës së tyre.
Ardhje e cila për hir të së vërtetës është kontestuar jo pak, nisur nga minutat e pakta që ka pasur me Skënderbeun në veçanti. Por tek Vllaznia “labi” ka gjetur veten pasi kish luajtur më parë edhe me pesë ekipe të tjera. Tek Skënderbeu por edhe skuadrat ku kish luajtur më parë Hoxhaj ka luajtur në pozicionin e tij natyral.
Rilindja e tij ka ardhur tek Vllaznia, jo vetëm nisur nga golat e shënuar deri më tani, por shumë më tepër për mënyrën sesi shprehet në fushën e lojës. Tek shkodranët ka më shumë hapësirë veprimi jo vetëm në linjën e djathtë por edhe në të kundërtën.
Kjo duket se e ka bërë “labin” të vrapojë pafund në fazën sulmuese duke ndërtuar kështu një manovër të frikshme sulmuese. Tek Vllaznia ndoshta krejt ndryshe nga të gjitha ekipet e tjera Hoxhaj është më i qetë në lojë, ndaj edhe për këtë është aq i qartë para portës së ekipeve kundërshtare.
Mjafton të ndalesh tek golat ndaj Skënderbeut dhe diçka më tepër tek ai gol me Teutën për të kuptuar se vlonjati orientohet në kohë dhe hapësirë me portën. Veti që nuk e kishim parë tek Skënderbeu të paktën.
Tani Hoxhaj është kthyer në personazhin kryesor në kryeqendrën e veriut. Me tetë gola është në krye të listës së golashënuesve. Për të gjitha këto, drejtori Djarmati është i bindur se me Hoxhajn ka fituar një bast të madh.