Pak ditë më parë, mesfushori shkodran Ardit Krymi njoftoi zyrtarisht mbylljen e bashkëpunimit me klubin bjellorus të Shakhtyor Soligorsk dhe largimin përfundimisht nga kampionati i Bjellorusisë.
Tashmë ditën e sotme, mesfushori 27-vjeçar është rikthyer në Shkodër dhe ka mbërritur në qytetin e tij drejt destinacionit Vllaznia, aty ku u lind dhe u rrit si futbollist.
Nga sa thuhet, gjithçka është drejt marrëveshjes dhe pritet vetëm firma e tij te Vllaznia. Tashmë, mund të thuhet me siguri se Krymi, që aktivizohet në rolin e qendërmesfushorit, do të jetë afrimi i rradhës i Vllaznisë.
Edhe pse firma e tij pritet që të ndodhë përpara duelit të kthimit të Conference League, Krymi nuk do të mund ta ndihmojë ekipin kuqeblu në ndeshjen e dytë të turit të parë kundër skuadrës irlandezo-veriore, Linfield.
Kujtojmë këtu se, Krymi është një futbollist i rritur dhe i zhvilluar tek Akademia Vllaznia dhe tashmë duket se destinacioni i rradhës për karrierën e mesfushorit shkatërrues do të jetë ekipi i tij i zemrës.
Maringlen ZHIVANI