Vllaznia vuan të gjejë fitoren e munguar që prej 3 marsit në kampionat, teksa në përgjithësi në kampin kuqeblu ka një rënie të formës së futbollistëve, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mesfushorin Ardit Krymi.

Me shiritin e kapitenit në krah, për shkak të mungesës së Gurishtës, mesfushori vijon të shfaqë vazhdimësi në paraqitje, duke u bërë një digë e pakalueshme për aksionet e kundërshtarëve.

E njëjta gjë ndodhi edhe ndaj Laçit, kur shkodranët nuk shkuan përtej barazimit 0-0, megjithatë Krymi ishte padyshim më i miri i sfidës, duke rikuperuar 14 topa, tre prej të cilave në gjysmëfushën kurbinase.

Gjithashtu mesfushori fitoi të tre duelet ajrore ku mori pjesë dhe tregoi edhe aftësi teknike, pasi realizoi me sukses të katër driblimet e provuara si dhe pati një saktësi prej 92% në pasimet drejt shokëve të skuadrës.