Ardit Krymi është padyshim lojtari më në formë i Vllaznisë dhe shtylla e mesfushës së kuqebluve. 25-vjeçari dita-ditës po shndërrohet në një lider tek shkodranët.
Jo më kot, në mungesë të Gurishtës, ai është kapiten i ekipit. Shiriti i kapitenit është një përgjegjësi më shumë, por megjithatë Ardit Krymi po tregon se vërtetë po shndërrohet në një lider tek skuadra shkodrane.
Çfarë formë tregoi mesfushori ndaj Tiranës! Sa herë që Krymi mungon në skuadër ai është i pazëvëndësueshëm.
Në kulmin e karrierës së tij, patjetër që meriton një ftesë nga Kombëtarja, qoftë edhe në miqësoret e marsit që janë përpara. Në fakt, për Krymin duhet të lobohet që të thirret në Kombëtare, ashtu siç bëri para pak ditësh edhe Andi Lila në “Proçesi Sportiv”, teksa i kërkoi trajnerit Reja që ta grumbullojë këtë lojtar me kuqezinjtë.
Interesimi për të ka qenë i madh, madje edhe në këtë merkato të janarit, teksa mesfushori 25-vjeçar ka qenë nga më të lakmuarit prej skuadrave të tjera, por drejtuesit nuk duan që ta lënë të lirë një prej lojtarëve më të mirë të ekipit. Jo më kot, tek Vllaznia drejtuesit e klubit kanë refuzuar ofertat e ekipeve të tjera që kanë kërkuar shërbimet e Krymit, pasi e shohin si një lider te skuadra shkodrane.
Kontrata i përfundon këtë verë dhe mbetet për t’u parë e ardhmja e tij. Ardit Krymi është rritur në skuadrat e moshave të Vllaznisë dhe ka debutuar në ekipin e parë në 2014-ën, kur ishte vetëm 18-vjeçar, ndërsa këtë vit po bën sezonin e tetë me fanellën kuqeblu.
Maringlen Zhivani