Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës duket se është kthyer “shtëpia e dytë” e Kukësit. U mendua dhe ishin bërë planet që stadiumi i ri i Kukësit të inagurohej me ndeshjen Kukësi-Dinamo, por në fakt nuk ka ndodhur kështu dhe duket se do të vazhdojë sërish turi i stadiumeve për ekipin e Kukësit.

Impianti sportiv i qytetit të Kukësit duket se nuk është ende gati për të pritur një ndeshje futbolli dhe inagurimi i tij në këtë mënyrë është shtyrë për në shkurt.

Në këto rrethana, verilindorët janë detyruar të kërkojnë një stadium tjetër për ndeshjen që do të luajnë këtë javë ndaj Skënderbeut dhe drejtuesit duket se kanë zgjedhur Shkodrën si “shtëpinë” e tyre, për faktin se është më afër me Kukësin, si dhe besojnë se do të kenë edhe mbështetjen e tifozërisë vendase.

“Shkodra Sport” mëson se kjo sfidë e vlefshme për javën e 17-të të Abissnet Superiore, do të luhet të dielën në ora 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Akordi me drejtuesit e Vllaznisë mësohet se është arritur dhe kjo tashmë pritet të konfirmohet edhe zyrtarisht.

Në Shkodër edhe tifozët verilindorë do të kenë më shumë mundësi për të ardhur në stadium, por nga ana tjetër do të kishin përkrahjen edhe të shkodranëve që mund të vijnë në stadium.
Maringlen Zhivani