Vetëm pak kohë që është në krye të këtij ekipi, por dora e saj ka filluar të ndihet menjëherë. E mirënjohura Nora Deda ka marrë përsipër sëbashku me ndihmësin e saj Ardian Dodani, të ringrejnë sërish Vllazninë e volejbollit të femrave.

Ajo nuk ka dëshirë të flasë shumë gjatë kësaj periudhe sepse është shumë e përkushtuar në punën e saj, megjithatë kemi arritur t’i shkëpusim disa mendime në lidhje me gjendjen aktuale të skuadrës.

“Ky është vetëm fillimi dhe në fakt nuk është koha me fol, kemi shumë punë për të bërë. Nisja e kampionatit mund të jetë edhe e afërt, në fund të muajit, gjithmonë nëse nuk shtyhet nga pandemia.

E përsëris, kemi shumë punë për të bërë dhe ndoshta nuk është koha sot të japim intervista. Kemi shumë, shumë punë për të bërë. Duhet të punojmë shumë që të kemi se çfarë të tregojmë më vonë me rezultatet tona”- ka deklaruar trajneria Deda.

E pyetur ndërkohë për ndryshimet në skuadër, ajo do të shtonte: “Janë larguar tre vajza drejt Skënderbeut të Korçës sepse i ka marrë me vete ish- trajneri i Vllaznisë. Po ashtu, janë larguar edhe dy vajza të tjera në Tiranë. Ekipi tashmë kryesisht është i përbërë nga vajza të reja, por kam arrit me marrë edhe tre volejbolliste me përvojë.

Kam marrë një lojtare me përvojë e cila ka luajtur me Minatorin, pikërisht Esmeralda Tucin, kam arritur të rikthej në ekip pas një viti e gjysëm shkëputje Shqipe Mollën si dhe Diana Vistarajn. Shumica e përbërjes së ekipit është me vajza të reja që premtojnë për të ardhmen dhe prandaj shpresoj të bëjmë më të mirën”- ka thënë trajneria Nora Deda.

E pyetur ndërkohë për objektivat që do të ketë Vllaznia në sezonin e ri, numri 1 i kësaj skuadra do të shprehej: “Janë vetëm dy ekipe private që kanë sponsorë dhe kanë arritur të marrin lojtare cilësore në rradhët e tyre. Ndërsa Vllaznia besoj se do të mundohet të konkurrojë dhe do të jetë e barabartë me ekipet e tjera”./SHKODRA-SPORT.COM/