Prej kohësh themi që përbërja e sivjetme e Vllaznia U19 është ndoshta brezi më i talentuar që ky ekip ka patur këto vitet e fundit. Në rradhët e tij ka disa lojtarë që premtojnë shumë për të ardhmen.

Ajo që të bën përshtypje është gërshetimi mjaft i mirë i elementit që ka qenë edhe vjet pjesë e këtij ekipi, me atë të ardhur nga paratërinjtë. Dhe njëri nga këto të fundit është edhe sulmuesi Antonio Delaj.

Ai ka lindur në Shkodër më 6 shtator 2003, zgjedh të merret me futboll dhe pas disa përvojave me ekipet e moshave të Adës, Don Bosko e The Door, Delaj gjen vetveten tek Akademia Vllaznia dhe sezoni i kaluar do të ishte ai i shpërthimit të tij.

Me siguri që meritë ka edhe trajneri Brikeno Bizi i cili i dha besimin e duhur dhe përpos kësaj e vendosi edhe në vendin e duhur në fushë, duke e aktivizuar si sulmues krahu.

Ndërkohë sivjet, ka kaluar me ekipin U19 dhe sërish është e njëjta situatë. Trajneri Luan Zmijani vazhdon t’i besojë dhe deri më tani Antonio nuk e ka zhgënjyer.

Në ndeshjet e prag- sezonit ai është projektuar të jetë titullar dhe e ka justifikuar besimin e tij. Delaj luan si sulmues krahu, është i shpejtë dhe gjithnjë një rrezik i vazhdueshëm për kundërshtarin.

Në pamje të parë, nisur nga fiziku i brishtë duket se është i lehtë për t’u përballur me të, por në fakt kemi të bëjmë me një lojtar me këmbë të forta dhe është e vështirë t’ia rrëmbesh topin.

E njeh mirë edhe portën, e po ashtu njihet për asistet e tij. Të dhënat e tij janë të mira, tashmë duhet parë mënyra si do të vazhdojë karriera e tij sepse ka shumë për të bërë për të ardhmen./SHKODRA-SPORT.COM/