Vllaznia fitoi sot me rezultatin 3-0 në ndeshjen miqësore ndaj Laçit, e cila u luajt në stadiumin “Loro Boriçi”. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë dhe protagonisti kryesor i kësaj miqësoreje padyshim që ishte futbollisti me numrin 7 në fanellë- Amin Tahiri.
Për shumëkënd të pranishëm në stadium ndoshta kishim të bënim me një emër “të panjohur” dhe në fakt deri diku i tillë është sepse pavarësisht se ka lindur në Shkodër, prej vitesh ai luan jashtë vendit.
Tahiri shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 70-të me një gjuajtje të fortë me të djathtën brenda zonës, ndonëse në pozicion disi të prirët me portën. Më pas shënoi edhe në minutën e 89-të golin e tretë dhe të fundit të kësaj miqësoreje, pas një veprimi të bukur me topin.
Ai ka disa ditë që stërvitet me Vllazninë dhe po tregon një formë të mirë sportive. Kjo i shton shanset që në ditët në vijim të firmosë për kuqeblutë. Duhet thënë se ndonëse sot luajti 45 minuta në miqësoren ndaj kurbinasve, i bëri për vete edhe tifozët shkodranë që nuk munguan ta duatrokasin.
Po kush është Amin Tahiri? Ka lindur në Shkodër ku ka filluar të merret me futboll, duke luajtur fllimisht me Atletik Klub dhe më pas me Vllazninë. Por në moshë të vogël do të largohej drejt Italisë ku do të inkuadrohej tek Akademia e Torinos. Aty do të qëndronte 2 vite, para se të kalonte tek SudTirol me të cilën po ashtu do të luante dy vite të tjera me ekipin U19 të tij. Njëkohësisht ka qenë edhe pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Shqipërisë.
Më vonë do të bëhej pjesë e ekipit Feralpisalo, para se të vinte në Shqipëri në shkurt të vitit të kaluar duke qenë për 6 muaj pjesë e Tiranës. Pas bardhebluve kaloi në Sllovaki tek ekipi i dytë i Sllovan Bratislava ndërsa në janar të këtij viti u transferua në Slloveni tek ekipi i ligës së dytë, Brinje.
Ai luan si sulmues i dytë dhe tashmë tek Vllaznia shpreson shumë që të hedhë hapa të rëndësishëm për karrierën e tij dhe para se ta bëjë këtë gjë, sigurisht që duhet hedhur firma në kontratë dhe pas paraqitjes së sotme, me siguri që kjo është çështje e kryer.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


