Nga Katari në Tiranë, më 7 dhjetor shqiptarët do të lënë mënjanë emocionet e botërorit për të përjetuar spektaklin e klasikes së futbollit mes Tiranës dhe Vllaznisë. Këtë herë kjo përballje do të jetë edhe më e veçantë sepse luhet finalja e Superkupës, prandaj të gjithë sytë do të jenë drejtuar nga ‘Air Albania’.

Do jenë bardheblutë apo shkodranët ata që do jua bëjnë këtë trofe dhuratë tifozëve të tyre për festat e fundvitit? Për këtë finale ka folur për ‘Oversport’ ish-mesfushori kuqeblu, Ardit Krymi i cili aktivizohet në kampionatin bjellorus me Shaktjor Soligorsk. Ai thotë se do të jetë sfidë e luftuar, por në fund festojnë shkodranët, madje ai do të jetë prezent në stadium për ti përkrahur nga afër.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, sepse janë dy ekipe që luftojnë për titullin kampion dhe mendoj që do të bëhet një ndeshje shumë e fortë. Mendoj që do të fitojë Vllaznia, sepse ka ekip më të mirë. Ka ekip që në sulm është më mirë dhe mendoj që pavarësisht ,mungesave do të bëjë maksimumin që të fitojë këtë ndeshje. Do të jem në stadium në mbështetje të Vllaznisë.

Këshilla për ish-shokët? Të luajnë bashkë, të jenë të bashkuar, sepse kanë një ekip shumë të mirë dhe mund t’ia dalin përballë çdo kundërshtari. Kur fiton me ekipin e zemrës është emocion i veçantë. Më ka mbetur peng që nuk kam fituar titullin kampion me Vllazninë, por të paktën kam fituar 2 Kupa. Mendoj që këtë vit Vllaznia i ka mundësitë për të fituar titullin. Unë jam pranë skuadrës me mendje dhe me zemër dhe besoj se ky është viti i duhur që skuadra të dalë kampion.

Ftesa në kombëtare? Mendoj që e meritoja një ftesë në kombëtare me ato 2 vite që bëra te Vllaznia, por nuk do të dorëzohem kurrë. Sepse në futboll nëse punon mirë, një ditë do të të jepet mundësia. Të bëhet qejfi të jesh në kombëtare, por Krymi nuk dorëzohet kurrë dhe do të punojë fort që të arrij të luaj në kombëtare”, ka thënë mes të tjerash Krymi.