Vllaznia në volejboll për meshkuj duket se po ecën në rrugën e duhur në këtë periudhë në kampionat. Një nga lojtarët më me eksperiencë të ekipit kuqeblu, Ardit Taflaj ishte i ftuar mbrëmë në Star Sport. Ai analizoi ndeshjen e fundit kundër Elbasanit e po ashtu tregoi edhe për një risi siç është kupa “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Një ligë unike në volejboll mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Taflaj tha: “Të fitosh patjetër që është pozitive për çdo ekip sportiv. Ne triumfuam këtë javë kundër Elbasanit, një skuadër që nuk mund ta cilësoj të lehtë. Pasi vetë kampionati është i atillë ku konkurrenca është e madhe. Ne kemi një ekip ku kanë mbetur pak nga brezi i vjetër nëse mund ta cilësoj kështu.
Kjo pasi shumë janë larguar dhe tek volejbolli ka pasur eksod. Por ne së bashku me elementin e ri po përpiqemi të bëjmë maksimumin. Dhe kjo u tregua edhe nga një fitore që morëm kundër Skënderbeut. Një prej ekipeve më të mirë investuara dhe ku përballë kishim edhe 4 shkodranë të tjerë. Dukej se në parket po luanin dy ekipe të Vllaznisë.
Ky sezon do ketë një risi pasi për herë të parë do jetë kupa “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Një ligë unike e volejbollit ku do jenë përballë 4 ekipet më të mira të Shqipërisë me ato të Kosovës.
Ne mund të marrim një kualifikim në këtë ligë duke triumfuar në dy ndeshjet e rradhës. Ku do jemi këtë javë kundër Teutës në transfertë dhe me Studentin në Shkodër. Patjetër duam të bëjmë sa më mirë dhe dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një”.
Endri ÇINARI