Gugash Magani është i bindur se Tirana e ka titullin në dorën e vet, por duhet të kujdeset të mos gabojë në ndeshjet me më të mëdhatë. Nga ana tjetër, trajneri më jetëgjatë i epokës “Halili” në Kategorinë Superiore vlerëson Orges Shehin për punën dhe seriozitetin. Ai shprehet se nuk është xheloz që Shehi mund t’i thyejë rekordin e jetëgjatësisë, sepse e meriton plotësisht.

Zoti Magani, ju jeni trajneri më jetëgjatë te Tirana këtë dekadë?

Orges Shehi dhe çdo trajner tjetër që drejton skuadrën e Tiranës ka një fat të madh. Drejton skuadrën që historikisht ka dalë shumë herë kampione Shqipërie. Çdo trajner ndihet mirë që drejton një skuadër si Tirana. Për më tepër që është edhe në vendin e parë të renditjes dhe kjo është gjë e madhe.

Ju jeni trajneri më jetëgjatë i Refik Halilit. Cili është sekreti i bashkëjetesës me zotin Halili, nëse mund ta themi kështu?

Zoti Halili pa dyshim që është një dashamirës i madh i futbollit, sepse ka investuar shumë para për ekipin e Tiranës. Ka shumë vite që shpenzon para nga familja për këtë sport. Nga ana tjetër, ai është një njeri shumë i qetë. Jo vetëm i qetë, por edhe shumë qytetar. Ai nuk ka problemet e presidentëve të tjerë që janë arrogantë, për shembull marrim këtë rast. Plusi i tij i madh është qytetaria, nuk është arrogant dhe është shumë familjar.

Si ju është dukur Tirana e këtij sezoni?

Ju jeni përballur në fillim me këtë skuadër… Mund të them se Tirana është me meritë në vendin e parë, aty ku është në këtë moment. Në shumicën e rasteve dhe ndeshjeve ka treguar diferencë me skuadrat e tjera dhe kjo është për mirë gjithmonë, edhe pse ndeshjen e fundit nuk u ngjit te loja e vet që e karakterizon. Është derbi, pritshmërinë janë të mëdha. Të gjithë duan të fitojnë, por ajo ndeshje nuk ka favoritë. Mund të jesh në vendin e fundit dhe fiton dhe e kundërta, njëlloj siç na ka ndodhur kur isha unë në krye të skuadrës. Ne ishim në fund dhe mundëm Partizanin që ishte në vendin e dytë apo të tretë dhe luftonte për Europë.

Çfarë të veçante ka kjo skuadër?

Tirana ka shumë gjëra të veçanta. Unë Tiranën e kam drejtuar afër 20 muaj. Kam kuptuar se ata si klub kanë të veçanta. Ata kanë një mentalitet si klub përfshirë edhe tifozët, karakterin. Pra, janë luftëtarë. Është skuadër që futet për të fituar ndeshjen, edhe pse mund të ketë momente të veçanta që i merr euforia, përfshirë edhe kur isha unë dhe dilnim barazim. Ama askush nuk e pranon barazimin në derbi.

Çfarë ndryshimi ka skuadra juaj që luftoi për titullin?

Në krahasim me skuadrën time ndryshimet janë disa. Skuadra edhe atëherë ishte e mirorganizuar si tani. Në përbërje kishte shumë kualitete skuadra ime. Kjo e tanishmja është më grup. Dhe kjo është meritë pa diskutim edhe e trajnerit që ka ndërtuar dhe ruajtur një frymë grupi. Është shumë e rëndësishme që një skuadër të menaxhohet mirë. Dhe kjo është meritë e trajnerit. Ne jo se nuk kishim grup, por në momente të veçanta kemi pasur oshilacionet dhe problematikat tona.

Shehi mund të thyejë rekordin tuaj si trajneri më jetë gjatë i dekadës?

Pa diskutim që unë nuk e kam menduar që duhet të vija apo kam vënë rekord te Tirana. Unë jam i kënaqur që kam qëndruar gjatë te Tirana si trajner. Shehi e meriton plotësisht qëndrimin te Tirana si trajner. Siç ka qenë lojtar, shumë korrekt, shumë serioz dhe me personalitet. Unë nuk kam ndonjë ndjenjë xhelozie që mund ta thyejë rekordin tim, sepse në fund fare çdo trajner e mban puna e tij.

A është Tirana shumë pranë titullit kampion?

Pikavarazhi dhe distanca me skuadrat e tjera i jep një avantazh të madh, por unë do të them vetëm kaq. Vitin e parë që ne luftuam për kampionë dhe ishim shumë pranë. Barazuam në ndeshjet me Partizanin dhe Skënderbeun, duke na ikur kampionati na duart. Tirana tani duhet të jetë shumë e kujdesshme. E kollajshme është që të jesh në majë, por është shumë e vështirë për të shkuar tek objektivi final që është titulli. Megjithatë, unë them që Tirana është e avantazhuar dhe e ka në dorë vetë shpalljen kampione. Ajo tani nuk varet nga të tjerët.