I ftuar në emisionin “Sport News” në News 24 të moderatores, Daljana Sejdia, Ardjan Mema ka thënë se të gjitha skuadrat e 4 vendeve të para, e kishin mundësinë për t’u shkëputur dhe për të fituar titullin. Mema ka thënë gjithashtu se pavarësisht penalltisë së dyshimtë, Vllaznia e meritonte fitoren ndaj Partizanit.
“Të kater skuadrave i ka ardhur mundësia për ta fituar kampionatin këtë sezon. Në futboll duhet ta përgatisësh më mirë veten, siç bëri Tirana vjet, që i mori ndeshjet një nga një. Tani nuk do ketë më surpriza mendoj unë. Teuta mendoj se e fiton titullin.
Penalltia në Partizani-Vllaznia? Nuk kishte arsye arbitri që të mendohej aq gjatë. Ka bërë një komunikim me arbitrin pas portës dhe atë anësor. Ka qenë ky momenti që i ka marrë kohë. Në gjithë këto skuadra, kanë shpenzuar para. Me një të rënë të bilbilit nuk mund të prishësh të gjitha financat e një klubi. Unë nuk do e merrja për bazë këtë episod.
Vllaznia luajti më mirë. Edhe mund ta fitonte ndeshjen, për lojën e bërë. Keqardhja është kjo, që në fund secila skuadër bën llogaritë. Secila nga këto skuadra ka pasur mundësitë e veta, ta mbanin trendin e fitoreve dhe të shkonin te titulli.
Vllaznia ta mendosh që ka qenë 9 pikë larg rivalëve. Është një keqardhje e madhe. Vllaznia në këtë ndeshje nuk ka çfarë humb më, por është shumë e vështirë duke ditur që kanë Laçin përballë.”, tha Mema.