Armand Duka ka folur për situatën e krijuar në vend prej Coronavirusit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit iu përgjigj kryeministrit Rama për deklaratën e këtij të fundit ku u shpreh se nuk do ta ndihmonte futbollin financiarisht.

Ai i bëri thirrje të parit të qeverisë që mos t’i lejojë klubet të deklarojnë paga të rreme. Veç kësaj i pari i institucionit të futbollit në vend tregoi se si do procedohet për të siguruar minimumin jetik. Në një lidhje direkte për Report TV, Duka u shpreh:

“Ne i kemi kërkuar Qeverisë një minimum jetik, për të mbijetuar. Është keqkuptuar kjo, nuk ka të bëjë me pasurimin e lojtarëve. Kemi lojtarë edhe në Kategoritë e tjera, si të Parë apo të Dytë. Nuk kemi kërkuar kontrata të plota, por një ndihmë bazë.

Nëse ne i deklarojmë si fason, siç është shprehur, le të na japë aq sa një fason siç deklarojnë.

A ka FSHF një plan për të ndihmuar futbollin?

Është thuajse e pamundur që me ato buxhetë që ka Federata të ndihmojë në këtë situatë.

Kur do kthehet futbolli?

Do isha shumë i lumtur nëse do e dija.

Mbledhja e sotme me UEFA-n?

Në varësi të situatës, ne kemi ndërtuar kalendarë që të marrim parsysh gjithë skenarët e mundshëm. Kemi 6 data të mundshme, por nëse do jenë të pamunduar do diskurojmë edhe me organizmin Europian.

Jeni pjesë e Komitetit Ekzekutiv, ka ndonjë plan masash?

Si UEFA janë diskutuar edhe skenarët e mundshëm me futbollin që duhet të përfundojë në qershor. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë do të shohim mundësitë e tjera sepse nuk është në dorën tonë.