U zhvillua sot në stadiumin e ri Kombëtar, ndeshja testuese mes ekipeve të femrave të Vllaznisë dhe Apolonisë. Gjithçka duket gati për inaugurimin e madh në datën 17 nëntor në sfidën ndaj Francës. Në një lidhje direkte për emisionin “Zona Gol”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli për stadiumin e ri si dhe ekipin Kombëtar, duke deklaruar:
“E ndoqa ndeshjen e femrave, me përqëndrimin maksimal për të parë si funksiononin staturat e stadiumit, por pash edhe futboll të bukur. Kemi prioritet promovimin e futbollit të femrave.
Shpeshherë kam menduar që është e vështirë ndërtimi i stadiumit. Tani që u bë realitet duket një projekt i lehtë. Koha që ka marrë deri në vendimmarrje ka qenë goxha e gjatë. Kemi negociuar me shumë partner dhe nuk kemi gjetur një zgjidhje. Zgjidhja që kemi gjetur, mendoj se është optimale.
Shumë shqiptar duan ta ndjekin ndeshjen ndaj Francës, për shumë arsye. Kjo është kërkesa më e madhe që ka pasur ndonjëherë Shqipëria për në stadium.
Keni pasur dyshime për afatin?
Nuk jemi fare pa eksperiencë për ndërtimin e stadiumeve. Kemi eksperiencë. Pavarësisht se shumëkush mendonte se nuk do të arrihej ajo datë. Ne që jemi “Made in Albania”, jemi mësuar të punojmë kështu. Ndërkohë që biletat shiteshin stolat montoheshin. Kam pasur besim që do të arrinim datën që kemi përcaktuar. Nëse nuk cakton një datë, gjërat zvarriten, aq sa nuk arrin kurrë. Realizimi i tija bëri që të punonim ditë e natë. Këtu vazhdon punohet. Prandaj u bë ndeshja test, për të parë gjërat që nuk shkojnë shumë mirë, për të qenë drejt perfeksionit.
Batuta me dasmën dhe ftesën?
Ajo është traditë shqiptare, ne ndajmë ftesa dhe bëjmë dasmën. Ishte traditë shqiptare.
Është konfirmuar që do luhet ndeshja?
Nuk diskutohet në 17 nëntor do jemi këtu të gjithë. I gjithë komuniteti i futbollit do ta shijojë më 17 nëntor.
A jemi gati për të pritur një Superkupë Europe?
Brenda 2022 në këtë stadium do të bëhet një finale e Superkupës Europiane.
Shitja e emrit…
Nëse do flisja me mendimin e karriges do flisja ndryshe. Komercializimi është gjëja më optimale e mundshme. Nuk dua të bëjë replikë me asnjë. Në kushtet që jemi, ky stadium është ndërtuar me donacion nga UEFA. Financimi i UEFË-s është 10 milionë euro + TVSH që qeveria na ka mbajtur padrejtësisht. Është një hall më i madh për ta mirëmbajtur në të njëjtën gjendje. Është e pamundur nëse nuk komercializojmë gjërat e mundshme.
Është një model që e ndjek e gjithë Europa. Edhe unë mund ta doja që të ishte një emër sportisti, por jemi të detyruar se kemi nevojë për burime financiare. Nëse zv.kryeministri flet nga karrigia, mund të hedhë ato lek dhe ne i vejmë emrin e tij.
E kemi të pamundur t’iu ngarkojmë klubeve koston e stadiumit, me buxhetet që kane. Duam që ky impiant të përdoret nga klubet shqiptare dhe jo të jetë një monumet që të luajë vetëm Kombëtarja shqiptare.
Unë nuk mund të them një shifër të saktë, por ne do të mundohem që të mbajmë për ekipet e kryeqytetit, shifrat e “Qemal Stafës”, u shpreh Duka.