Armando Cungu ka folur për situatën te skuadra e Laçit. Trajneri shkodran që ka arritur të krijojë një ekip simpatik, e thotë hapur se në sezonin e ri pret një grup lojtarësh që pretendimet e tyre do t’i kenë shumë të larta.

Ai mbështet bojkotin e Superiores, ndërsa tregon që së shpejti kampionati do të fillojë. Në fjalën e tij për “Sport Time”, tekniku shkodran deklaroi:

” Në karantinë, Ishte një ndalesë e jetës. Çoi në dy muaj izolim. Ekipi filloi të stërvitej në temperatura tepër të larta, deri në 40 gradë. Edhe pushimi s’ishte sërish i duhuri. Ekipet duhet të përgatiteshin për ndeshjet e Europës. S’është e lehtë për ne trajnerët për të mbajtur ekipin në gjendje të mirë. S’është e lehtë, realisht s’është e lehtë.

Si e përjetojnë futbollistët? Në fakt s’është se kemi shfaqur probleme serioze. Në një farë mënyrë duhet te punosh çdo ditë si trajner. Për ekipet që marrin pjesë në Europë, kishin ritmin e duhur dhe të karikuar. Kur bëhet fjalë për të mirën e futbollit, të gjithë duhet të sakrifikojmë. Jam i bindur se futbolli do të fillojë dhe do të marrë rrugëtimin si përherë.

Objektivi? Nuk preferoj të flas shumë fjalë të mëdha. Llogaritë s’bëhen në letër, por në fushë. Klubi ka investuar shumë këtë sezon, presim një Laç konkurrues dhe më aktiv sa i përket pretendimeve dhe rezultateve. Sezonin e shkuar, skuadra bëri një kampionat të mirë. U paraqitëm mirë edhe në Europë. Ekipi është bërë më kompetetiv. Pra duhet të pretendojmë diçka tjetër këtë sezon.

Rivalët? S’mund të jap emra ekipesh. Por, skuadrat që shkuan vjet në Europë, janë sërish pretendente. S’mund të jap renditje”, ka thënë ai.