Armando Cungu “skanon” kampionatin dhe përballjen e së shtunës, Laçi-Vllaznia. Nga dy ekipet që shkodrani ka drejtuar si trajner në dekadën e fundit, sheh kurbinasit kampionë, pavarësisht luhatjeve të javëve të fundit. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri aktual i Kombëtares U-19 thekson se Vllaznia duhet të sulmojë Kupën, pasi e ka të vështirë të luftojë në dy fronte.


Armando, si e keni parë kampionatin deri më tani? A ka diçka që ju ka bërë më tepër përshtypje?

Është një kampionat me shumë rivalitet dhe ekipe që nuk e nisën mirë për shumë e shumë arsye, por që tani kanë gjetur ritmin. Nga ana tjetër, Vllaznia e nisi më mirë se të tjerat, por që nuk arriti ta mbajë ritmin siç duhet gjatë garës.


Pas asaj krize, Vllaznia duket sikur ka gjetur ekuilibrat. Si ju duk ndeshja ndaj Partizanit?

Të them të drejtën, prisja që Vllaznia të merrte më shumë në takimin kundër Partizanit. Megjithatë, e kishte të vështirë për të dalë te goli dhe loja që kemi parë të bëjë shpesh. Gjithsesi, mendoj se tani nuk duhen humbur ndeshjet dhe ndoshta ekipi u bazua edhe në këtë drejtim. Të humbësh me kundërshtarë direktë nuk ke kohë për të korrigjuar.


Ku mendoni se gabuan më tepër shkodranët kur ishin me diferencë 9 pikë nga rivalët?

Së pari, Vllaznia gaboi ndaj Kastriotit në Shkodër, ku nuk arriti që të marrë tri pikët. Këtu mendoj se gjërat filluan të shkonin jo mirë në skuadër. Po ashtu, një humbje fatale ishte ajo ndaj Laçit në Shkodër. Ai takim, të paktën nuk duhej humbur, sepse fitorja e afroi Laçin me Vllazninë. Po ashtu, humbja ndaj Tiranës bëri që kjo skuadër të futej në lojë.

Nuk po përmend edhe gabimet në takimet e tjera, ku ekipi nuk kishte freskinë e duhur. Unë gjykoj se afrimet e bëra në merkaton e janarit nuk kanë dhënë atë pritshmëri që kishin. Për të përballuar një sezon, duhet që të kesh edhe stolin e fortë dhe Vllaznia këtë nuk e ka. Ishte disi e pabesueshme se si një skuadër që mbylli thuajse dy fazat e para me 9 pikë diferencë, të diskutojë më tej titullin


Cilat shikoni si ekipet më të forta në garën për titullin?

E kam thënë edhe më parë, që Laçi është rivali më i fortë për titull. Këtë ekip e shikoj kampion, pavarësisht se ka ende kohë dhe është herët të flitet. Ka një organikë të plotë dhe me elementë cilësorë. Edhe te Partizani kam patur shumë besim se do të jetë pretendenti kryesor, por ndeshjet e fundit ma kanë lëkundur këtë mendim. Ndërsa Teuta nuk është bindëse në lojë.

Natyrisht, ajo nuk është kot në atë pozicion dhe këtë s’mund ta hedhë poshtë askush, por për mendimin tim nuk është një skuadër që ka zhvilluar lojëra bindëse. Nuk e kam ndjekur takimin e Teutës ndaj Laçit, pasi kam qenë në stadium për të parë Vllaznia-Partizani, por më kanë thënë se durrsakët ishin superiorë në lojë. Në këtë kampionat, pa dyshim që është edhe Vllaznia në lojë për titullin.