Kur permendet basketbolli ne Shkoder kuptohet qe ke shume per te folur e shkruar. Nje sport i mbushur me suksese e histori interesante, me personazhe qe i kane dhene jete basketbollit shkodran dhe atij shqiptar.

Historia e sukseseve të këtij ekipi ka nisur në sezonin 1966-67 kur u fitua titulli i parë kampion dhe sot do të ndalemi pikërisht tek njëri prej protagonistëve të atij suksesi: Asllan Gjyrezi. Kjo ngaqë ish- basketbollisti i njohur so feston 77 vjetorin e tij të lindjes.

Ka lindur në Shkodër më 8 prill 1944 dhe do të bashkohej që në rininë e tij me sportin e basketbollit duke rënë menjëherë në sy për talentin e tij.

Gjyrezi do të ishte pjesë e ekipit që do të siguronte titullin e parë kampion për Vllazninë, pikërisht në sezonin 1966-67 duke luajtur përkrah emrave të tillë si Renato Radoja, Luan Shatku, Nikolin Pali, Petrit Osmani, Agim Lahi, Zyhdi Çoba, Nikolin Kovaçi, Vladimir Gjurba e Roland Koka dhe nën drejtimin e trajnerit Esat Haxhi.

Po ashtu, në ato vite do të fitonte edhe tre kupa të Republikës me këtë ekip në vitet 1966, 1967 dhe 1968. Dhe kontributi i Gjyrezit do të ishte i dukshëm në këto suksese. Ai ka qenë titullar i padiskutueshëm në pesëshën e parë, ka luajtur në rolin e lojtarit anësor, i fortë në lojën në tabelë dhe i saktë në gjuajtje.

Pas lënies së sportit, Asllan Gjyrezi për shumë vite ka punuar si trajner moshash duke kontribuar në nxjerrjen e shumë lojtarëve cilësorë për basketbollin shkodran dhe atë shqiptar. Gazeta “Shkodra Sport” me rastin e 77 vjetorit të lindjes i uron Asllan Gjyrezit edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Gjergj KOLA