Kukësi do përballet ditën e nesërme me Skënderbeun në transfertë në një ndeshje shumë delikate për luftën e titullit. Armando Cungu ka dalë në konferëncën për shtyp dhe ka skanuar sfidën e nesërme, por edhe ngjarjet në Kamzë dhe transformimin e garës.

Skënderbeu? “Ka shumë kualitet, ka brumë edhe pse rezultatet e fundit nuk i kanë ashtu siç  jemi mësuar t’i shohim. Futbolli i tillë është nuk mund të jesh gjithmonë në majë. Korçarët meritojnë respekt dhe kujdes. Ata  vështirësojnë këdo për fitoren. Duhet të bëhet maksimumi për të marrë tre pikët”.

Stadiumi? “Kukësi luan jashtë shtëpie dhe kjo nuk është pak. Jam i bindur që po të luanim në shtëpi do të ishim në krye të renditjes gjatë sezonit. Kemi gabuar dhe ne si çdo ekip, rëndësi ka të mësojmë prej gabimeve. Edhe me Teutën kemi gabuar në fund, nuk duhet përsëritur. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë më. Deri tani kemi pasur kohë për rikuperime, tani bëhet edhe më e vështirë”.

Kamza? “Këto janë rregulla që duhet t’i respektojmë të gjithë. Të gjithë biem dakord që veprime të tilla, nuk janë të pranueshme, pavarësisht kush është fajtor. Në stadium shkohet për të parë  një shfaqje dhe duhet të mbetet në këtë kuadër”.

Gara pas skualifikimit të Kamzës? “Në aspektin e garës nuk mendoj se ka ndikim të madh. Kanë përfituar tre ekipe dhe ne të tjerët e kemi pasur më të lehtë. Ne i morëm pikët ndaj tyre me shumë mund për fat të mirë. Skënderbeu përfitoi dhe në Kupë dhe nuk ka kaq shumë lodhje. Nuk i jepet qëllimisht Skënderbeut, por përfitojnë Flamurtari dhe Luftëtari”.