Ditën e sotme, në Rrogozhinë, do të përballen Egnatia dhe Vllaznia, në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë Superiore të 21-vjeçarëve, një sfidë kjo që pritet me interes.

Ndeshja e kësaj jave është e rëndësishme për kuqeblutë, rezultati i së cilës pritet të jetë pozitiv për Vllazninë, nisur nga ndeshja e fundit që ka bërë një hap fals ndaj Kukësit dhe shpresohet shumë që sot ata të rikthehen në rrugën e duhur të rezultateve. Vendasit e Egnatias ndodhen në vendin e parafundit të renditjes me vetëm tre pikë, ndërsa Vllaznia mike është e gjashta në renditje për momentin me pesë pikë.

Tek ekipi i trajnerit Elvis Plori janë pjesë disa emra të njohur dhe me të ardhme, siç janë, portieri Shkoza, për të vazhduar më pas me treshen e repartit të mbrojtjes, Paloka, Shimaj dhe Pusi. Ndërkohë, edhe reparti i avancuar ka disa futbollistë të spikatur, siç janë Bizi, Pjeshka, Delaj apo edhe ndonjë tjetër, që në të ardhmen mund t’i shërbejnë edhe ekipit të parë shkodran.

Ndeshja Egnatia-Vllaznia, e vlefshme për kampionatin e 21-vjeçarëve, do të luhet ditën e sotme në Rrogozhinë, duke nisur nga ora 14:00 dhe arbitër në këtë përballje, pritet të jetë një emër i njohur për shkodranët dhe trajnerin Elvis Plori, siç është Olsid Ferataj, që do të mbahet mend gjatë në Shkodër për atë gol të anulluar ndaj Partizanit në Kupë padrejtësisht.
Maringlen ZHIVANI