Armando Cungu u largua pak javë më parë nga drejtimi i Laçit. Rezultatet negative në javët e para të Superligës bën që presidenca kurbinase të shkarkonte trajnerin shkodran. Për momentin Cungu është pa skuadër dhe një intervistë për “Sport News”, analizoi kampionatin shqiptar si dhe foli për një rikthim të mundshëm në Superligë.

“Është shumë herët për të thënë që Vllaznia është për titull. Deri më tani ka bërë një fazë shumë të mirë dhe ajo që është e rëndësishme janë eliminuar futjet nga jashtë. Për mendimin tim trajneri dhe drejtori janë munduar të bëjnë një punë shumë të mirë. Sulmuesit që kanë marrë janë lojtarë shumë të mirë dhe kualitativ”.

Partizani? “Ka një ndeshje të rëndësishme ndaj Vllaznisë e pas fitores shkodranët do të kërkojnë maksimumin sërish. Partizani nuk e shikoj me shumë probleme edhe pse e kanë të bllokuar merkaton pasi kanë një skuadër të kolauduar dhe bllokimi i merkatos nuk i ka prishur shumë punë. E shikoj një grup të lidhur dhe serioz për luftën e kreut të Superligës”.

Kukësi? “Po të shikojmë fillimin e kampionatit, skuadrat që luajtën në Europë nuk e nisën mirë kjo edhe nga lodhja që kanë pasur. Kukësi në javët e fundit ka treguar një stabilitet pasi në javët e para e nisi keq. Ekipet pretende nuk janë harmonizuar akoma kjo edhe nga afrimet që kanë bërë në merkato. Tirana me fitoren në Laç ka bërë një hap të rëndësishme për vazhdimësinë”.

Pikë kthese e Tiranës në Laç? “Tiranën e ka zbehur mungesat e shumta që ka pasur. Torassa është kthyer tani, Cale që mungon ende si dhe Cobbinah dhe Ngoo që kanë qenë 4 e sulmuesit që ishte pjesë e sezonit të kaluar. Normalisht është dashur të arnohet faza sulmuese dhe ekulibrat nuk kanë qenë të duhurat. Me rikthimin e Torasas është kthyer disi ekulibri dhe me fitoren në Laç ka bërë shumë mirë”.

Rikthimi në Superligë? “Kemi bërë një sezon shumë të mirë me Laçin si në kampionat ashtu edhe në Europë. Është shpejt për të folur për rikthimin tim, por dua të qendroj për pak kohë pranë familjes sime pasi të qendrosh një vit në një skuadër nuk është pak, por shumë e lodhshme”.