Futbollisti shkodran Armando Vajushi ka qenë protagonisti kryesor i ndeshjes për skuadrën e tij Liteks në përballjen që ajo ka patur ndaj Sllavias së Sofjes. Ai ka shënuar 2 gola duke kontribuar jo pak në fitoren e thellë 5-0. Vajushi ka shënuar golin e dytë të ndeshjes në minutën e 57-të dhe më pas edhe të tretin në minutën e 69-të. Loja e tij ka qenë e shkëlqyer në këtë ndeshje ndonëse siç është bërë e ditur ai ka qenë në dilemë për të luajtur apo jo si pasojë e një dëmtimi në kavilje në ndeshjen e kaluar.Madje ka qenë insistimi i trajnerit Stoiçkov për ta futur në lojë, ai që e ka detyruar 20 vjeçarin shkodran të durojë dhimbjet e të luajë, madje edhe nën efektin e gjilpërave vetëm e vetëm që ta ndihmojë skuadrën.

Një arsye tjetër pse Stoiçkov ka insistuar për ta futur në lojë Vajushin ka qenë ajo e pranisë së disa menaxherëve të njohur në tribunën e stadiumit pikërisht për ta parë atë. Ideja e klubit të Liteksit është që ta transferojë këtë lojtar në një klub të njohur në Europë që në merkaton e janarit. Paraqitja e sotme e tij natyrisht që do t’i ketë bërë për vete edhe menaxherët e pranishëm. Vajushi është lënë në fushë 81 minuta nga ana e trajnerit dhe më pas, nën duartrokitjet e shumta të tifozëve të skuadrës së tij, ai është drejtuar drejt pankinës. Bjondi po kalon momente shumë të mira me Liteksin dhe me shumë mundësi në janar, ai do të sistemohet në ndonjë skuadër tjetër.
Gjergj KOLA