Dy humbje në po kaq ndeshje në këtë fillim sezone, një skuadër aspak kompetitive dhe një e ardhme që nuk të ngroh. Tifozët e Kukësit duan që skuadra e qytetit të tyre të mos konsiderohet pretendentja e parë për të rënë nga kategoria, por të kthehet me petkun e pretendentes, siç ka qenë për një dekadë. Në një reagim në rrjetet sociale, “Armata e Veriut” u kërkon pronarëve aktuale të klubit t’u hapin rrugëve investitorëve të rinj, për ta kapërcyer këtë situatë të vështirë.

“Klubi i Kukësit, pavarësisht se është një shoqëri aksionare, aksionet e së cilës janë të ndara mes familjes Gjici dhe biznesmenit Marsel Braka, kurrsesi nuk mund të trajtohet si një pronë private për sa kohë bëhet fjalë për një skuadër që përfaqëson një qytet.

Klubi i Kukësit ka shkruar historinë në dekadën e fundit, teksa familja Gjici ka merita të padiskutueshme në fitimin e titullit kampion, Kupave të Shqipërisë dhe Superkupës, në ecurinë dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

Kukësi ishte skuadra që u tregoi të gjithëve se mund të përballemi denjësisht me çdo kundërshtar. Askush, asnjëherë nuk do i mohohen meritat familjes Gjici për atë çka ka dhënë për këtë klub.

POR, në situatën ku ndodhet, kurrsesi nuk mund të lejohet që një skuadër, e cila për vite e vite me radhë ka garuar në për titull, të jetë ndër skuadrat më të kuotura për të rënë nga Kategoria.

Pa dashur të drejtojmë gishtin nga persona të përveçëm, ne duam që të lihet rruga e hapur për investitorët e rinj, të cilët kanë shfaqur interesin për të financuar te klubi i Kukësit.

Nuk është e logjikshme, në kushtet kur janë mundësitë për të mos investuar, të mos hapet udha për biznesmenë të tjerë, që të vijojnë të mbajnë ekipin në nivele të larta.

Futbolli është sporti më i dashur më botë e skuadra e Kukësit i ka mundësuar për vite e vite me radhë popullit kuksian të argëtohet, si nga të paktat aktivitet.

Nuk është zgjidhje largimi i ish-kapitenit Rraman Hallaçi, mosaktivizivimi i lojtarëve kuksianë apo fshirja e komenteve, siç po bën klubi në javët e fundit.

Ndaj, i kërkojmë bordit drejtues të shohë e të analizojë mirë situatën, për të vendosur më të mirë e klubit, duke shtuar investimin ose duke hapur kahun për të mirën e klubit, në mënyrë që investitorë të rinj të vazhdojnë rrugën e artë që kemi shtruar.

Ne, nuk duam të kthehemi një dekadë mbrapa, nuk mund ta pranojmë kurrsesi. Mendoni mirë e jepini një zgjidhje për këtë situatë, para se të jetë shumë vonë. Kukësi është i kuksianëve, nuk është biznes privat, me interes individual!”