Afrojnë festat e fundvitit, por afrojnë edhe zgjedhjet. E si gjithmonë kjo situatë e kombinuar sjell premtime e dhurata të institucionit të futbollit për klubet. Këtë radhë, FSHF ka kthyer sytë nga futbolli amator, më saktësisht ai i fëmijëve.
Komiteti Ekzekutiv i FSFH ka miratuar sot projektin i cili parashikon që në çdo vit, të gjithë klubet e futbollit të fëmijëve që nga moshat U-7, deri në U19, do të përfitojnë bazë materiale falas nga institucioni i futbollit.
“Projekti parashikon mbështetjen sa më të madhe të futbollit të moshave, duke incentivuar dhe mbështetur ekipet, shoqatat dhe akademitë në punën e tyre për rritjen e futbollit shqiptar.
Ky vendim ka një impakt direkt financiar te mbi 14 mijë familje shqiptare që kanë fëmijët e tyre në sistemin e skuadrave zinxhir. FSHF do të shpenzojë për këtë projekt madhor çdo vit 1 milionë euro”, shkruhet në lajmërimin e institucionit të futbollit.